Gjirokastra është një tjetër qark i prekur, me dhjetëra fshatra që prej mbrëmjes së të martës kanë mbetur pa energji elektrike. OSHEE njofton se dëmtimet janë shkaktuar nga moti i keq dhe se grupet riparuese po punojnë për rikthimin e furnizimit. Rrëshqitja e dheut bllokoi përkohësisht rrugën Antigone, ndërsa në Lazarat, përroi i Sopotit ka dalë në rrugë duke bllokuar lagjen Lënxatë. Niveli i lumit Vjosë ka arritur në 5.8 metra në Memaliaj dhe 5.1 metra në Përmet, duke rritur rrezikun e daljes nga shtrati.