Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kundërshtuar ashpër mundësinë e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani, duke theksuar se kjo rrugë strategjike nuk i përket Teheranit. Ministri i industrisë dhe drejtuesi i kompanisë shtetërore të naftës, Sultan Ahmed Al Jaber, deklaroi se çdo përpjekje për mbylljen e ngushticës përbën një kërcënim global, pasi cenon drejtpërdrejt sigurinë energjetike, ushqimore dhe ekonomike të vendeve në mbarë botën. Që prej nisjes së veprimeve ushtarake nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit, Teherani ka kërcënuar me sulme ndaj anijeve që kalojnë në këtë korridor, duke sjellë ndërprerje të furnizimeve dhe rritje të çmimeve të naftës dhe gazit në tregjet ndërkombëtare. Sipas Al Jaber, një precedent i tillë do të ishte i paligjshëm dhe i rrezikshëm, duke shtuar se bota nuk mund ta përballojë dhe nuk duhet ta lejojë një situatë të tillë.