Me forcën e kartonit do të vendoset përfundimisht fati i Belinda Ballukut në seancën e 12 marsit. Në Kuvend janë depozituar dy raporte, të cilat do i nënshtrohen procesit të votimit. Pesë deputetët socialistë të këshillit të mandateve, i sugjerojnë seancës të rrëzojë kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, pasi sipas të majtëve nuk rezulton të jetë provuar domosdoshmëria e vendosjes së një mase të tillë. Pra të majtët rekomandojnë që pas shkarkimit nga kabineti qeveritar, Balluku të vijojë të përfaqësojë qytetarët e Fierit në Kuvend si deputete, dhe organi i akuzës të vazhdojë hetimet pa i hequr asaj lirinë.