Në ditën kur Partia Socialiste prezantoi raportin e saj për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, dy gjykata të ndryshme morën dy vendime në lidhje me çështjen e ish zv.Kryeministres. Fillimisht Gjykata e Apelit të Posaçëm mori në shqyrtim ankimimin e Belinda Ballukut kundër masës së pezullimit nga detyra. Mbrojtja e ish zv.Kryeministres dhe ish ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi pushimin e çështjes me argumentimin se nuk ka më objekt gjykimi, pasi ndryshimet e fundit në Qeveri e larguan Belinda Ballukun nga të dyja funksionet ekzekutive. Gjykata rrëzoi pretendimet e mbrojtjes dhe la në fuqi vendimin e shkallës së parë të gjykatës së posaçme. Ndërkohë, në Gjykatën e Lartë u regjistrua rekursi ndaj ish zv.Kryeministres Balluku për masën tjetër të sigurisë, atë të ndalimit të daljes jashtë vendit. Rekurs kundër kësaj mase kanë bërë edhe ish vartësit e saj, mes të cilëve edhe ish drejtori i KESH, Erald Elezi. Masa e sigurisë ndalim i daljes jashtë vendit u interpretua nga PS si e mjaftueshme për të mos hequr imunitetin dhe autorizuar SPAK për një masë më të ashpër sigurimi ndaj Belinda Ballukut.