Drejtësia, nuk ka si qëllim bazë ndëshkimin e personave që kryejnë krime, kryesorja është rehabilitimi dhe riintegrimi i tyre në shoqëri. Një nga mekanizmat e parashikuar nga Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale është “Lirimi me Kusht”, i cili supozohet të jetë një instrument i përdorur për të shpërblyer sjelljen e mirë dhe rehabilitimin real të një të burgosuri. Në teori, një i dënuar që ka shlyer një pjesë të dënimit dhe ka treguar përmirësim në sjellje, mund të lirohet nën mbikëqyrje për të vazhduar jetën si qytetar i rregullt. Ky hap hidhet në momentin që vërtetohet se dënimi e ka arritur qëllimin rehabilitues dhe autori veprës penale nuk ka ide kriminale.