Porti i Durrësit pritet të shndërrohet në një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës. Projekti u paraqit gjatë mbledhjes së tetë të dy qeverive, teksa këtë të martë kryeministri Edi Rama publikoi pamjet e projektit të integruar. Nëpërmjet një infrastrukture hekurudhore, Porti i Durrësit, apo sikurse quhet “Porto Romano”, pritet që të lidhet me Portin e Thatë në Kosovë. Një projekt, i cili pritet që të lehtësojë shkëmbimin e lirë të mallrave dhe produkteve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Krahas karakterit ekonomik, projekti tashmë i konkretizuar pritet që të luajë një rol të rëndësishëm edhe në aspektin politik mes Prishtinës zyrtare dhe Tiranës.