Regjistrimet audio dhe procesverbali i mbledhjes së 30 shtatorit i Gjykatës së Lartë thellon edhe më tej dyshimet për manipulim të votimit për zgjedhjen e Asim Vokshit si anëtar në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse mori më pak vota se kandidatja tjetër, Naureda Llagami. Top Channel ka siguruar audion dhe procesverbalin e kësaj mbledhjeje, ku të pranishëm kanë qenë 15 anëtarë dhe materialet nuk përputhen plotësisht. Në procesverbal vihet re mungesa e zbardhjes së plotë të audios me zërat kundërshtues të gjyqtarëve që nuk pranojnë vlerësimin si të pavlefshme të një flete votimi për Naureda Llagami.