TEODOR KEKO ishte i papërsëritshëm e i paharrueshëm në llojin e vet dhe sot, 18 vjet pas kthimit të trupit të tij pa jetë në atdhe, në fund të një rrugëtimi sfilitës me vdekjen në trup, më është e pamundur ta kujtoj pa vënë buzën në gaz. Zyrtarisht Teodori ishte shkrimtar, poet, gazetar, deputet dhe pijetar. Por në fakt, ai ishte thjesht siç edhe vetëquhej, Dori i Vogël, një fëmijë me një palë mustaqe nga ato të komitëve a të poetëve të fotove të vjetra, që endej rrugëve të qytetit e të shkrimtarisë dhe kthehej gjithnjë e më vonë në shtëpi.