Dy thertore janë mbyllur në Gjirokastër, ndërsa janë gjobitur pronarët e këtyre bizneseve. AKU ka zhvilluar kontrollet për gjatë subjekteve të ndryshme ku janë konstatuar shkelje. Në biznesin në pronësi të shtetasit “M.Ç”, është konstatuar se procesi i therjes së kafshëve bëhej në mënyrë të paligjshme, jashtë normave higjieno-sanitare dhe kritereve tekniko-teknologjike. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masë të menjëhershme të bllokimit të ambienteve të therjes, bllokimin dhe sekuestrimin e sasisë së mishit në sasinë e 50.9 kg si dhe gjobë. Po ashtu në një njësi tregtimi mishi, është konstatuar se tregtohej, mish i papajisur me vulë dhe certifikatë veterinare. Në subjekt janë gjendur edhe produkte të tjera, me afat të kaluar përdorimi. Për shkeljet e konstatuara, subjekti është gjobitur me masë administrative "gjobë", është bërë konfiskimi i menjëhershëm i produktit mish të gjendur në sasinë e 30.9 kg.