Lejet e ndërtimit për objekte industriale në Shqipëri kanë shënuar rënie të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar vështirësitë që po përjeton sektori i prodhimit. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë këtij viti u dhanë vetëm 91 leje ndërtimi për objekte industriale në të gjithë vendin, nga 132 që ishin në vitin 2024, që përkthehet në një rënie prej 31%. Rënia e investimeve në ndërtesa industriale konsiderohet tregues i dobësimit të kapaciteteve prodhuese në afatmesëm. Ndërtimi i më pak fabrikave, magazinave apo impianteve industriale nënkupton më pak prodhim në të ardhmen, më pak vende pune dhe një bazë më të dobët eksportuese për ekonominë.