Partia demokratike u mblodh mbrëmjen e së hënës për të dëgjuar fjalën përshëndetëse të Presidentit Joe Biden, vendimi i të cilit për t’i dhënë fund rikandidimit, çliroi energji të reja me ngjitjen në krye të garës të zëvendëspresidentes Kamala Harris. Konventa demokrate nisi të hënën në Cikago dhe mbrëmja e parë ishte konceptuar si një kalim i stafetës tek kandidatja e përzgjedhur nga vetë Presidenti Biden. I prekur pas fjalimeve të bashkëshortes dhe vajzës së tij, presidenti bëri thirrje për të votuar për kandidaten demokrate për presidente, Kamala Harris. Ai rikujtoi momentet e vështira kur bëri betimin për të marrë detyrën e presidentit, mes periudhës së vështirë të pandemisë dhe atyre që i quajti kërcënime ndaj demokracisë amerikane.