Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje studentëve dhe nxënësve në të gjithë vendin të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestave kundër qeverisë. Në një konferencë për shtyp, ai i ftoi gjithashtu pedagogët të mbështesin studentët, duke e cilësuar bojkotin si një mënyrë për të mbrojtur të ardhmen e të rinjve. Berisha u bëri thirrje edhe biznesmenëve që t’i bashkohen protestës, duke i ftuar të mos bien, siç u shpreh ai, viktimë e asaj që e cilësoi si narkopropagandë. Kreu i opozitës dënoi dhunën e ushtruar gjatë protestave dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama për përgjegjësi, ndërsa e përshkroi revoltën si një lëvizje për çlirimin e shqiptarëve. Berisha paralajmëroi gjithashtu se çdo tentativë për të kërcënuar nxënësit dhe studentët që i bashkohen bojkotit nuk do të mbetet pa ndëshkuar. Po ashtu, ai theksoi se qeveria duhet të dorëhiqet.