Dy ditë pasi kryeministri Edi Rama i dorëzoi propozimet për ndryshime në kabinet qeveritar, kreu i shtetit, Bajram Begaj firmosi dekretet presidenciale, duke i hapur rrugën kështu votëbesimit të ministrave të rinj në parlament, që do të pasohet me ceremoninë e betimit me dorën mbi kushtetutë në presidencë. Kreu i shtetit, Bajram Begaj dekretoi shkarkimin nga detyra të Belinda Ballukut si zëvendëskryeministre dhe ministre e infrastrukturës dhe energjisë dhe emërimin e Albana Koçiut në postin e numrit dy të qeverisë, po ashtu edhe Enea Karakaçin si pasues të Ballukut në drejtimin e dikasterit ministror.