Prej një jave forcat e policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë pa sukses kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj, që dyshohet se është mbytur në lumin e Matit prej datës 10 janar të këtij viti. Aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Dars, ku dyshohet se pasi makina ku viktima ishte pasagjer ra në përrua, atë e ka marrë rrjedha dhe e ka çuar drejt lumit të Matit Në operacionin e kërkimit janë të angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forca e Posaçme “Shqiponja”, e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare e familjarë, të cilët vijojnë krehjen e shtratit të lumit nga të dyja anët. Deri në këto momente, nuk është bërë e mundur gjetja e 30-vjeçarit.