Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se “askush nuk e di” se kush do të jetë udhëheqësi suprem i ardhshëm, mes raportimeve se organi përgjegjës ka zgjedhur një zëvendësues për Ajatollah Ali Khamenei-n. Duke folur në emisionin “Meet The Press” të NBC-së të dielën, Araghchi u shpreh se ka shumë thashetheme përreth, por duhet të presin që Asambleja e Ekspertëve të mblidhet dhe të votojë për Udhëheqësin e ri Suprem. Araghchi u pyet gjithashtu për pohimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se ai duhet të marrë pjesë në zgjedhjen e udhëheqjes së re për Iranin. “Ne nuk lejojmë askënd të ndërhyjë në punët tona të brendshme. Kjo varet nga populli iranian. Është vetëm punë e popullit iranian”, tha ai. Ai shtoi se as Irani nuk do ta pranonte kërkesën e Trump për dorëzim pa kushte dhe se në qershor të vitit të kaluar, Irani kishte pranuar një armëpushim, por këtë herë duhej një fund i përhershëm i luftës. “Askush nuk dëshiron ta vazhdojë këtë luftë”, tha Araghchi, duke shtuar se Irani do të vazhdojë të veprojë në vetëmbrojtje.