Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar rishtazi se synimet e tij për të dobësuar kapacitetet ushtarake e bërthamore të Iranit kanë dhënë rezultatin e dëshiruar, por realiteti mund të mos jetë ky. Pavarësisht sulmeve intensive nga SHBA-të dhe Izraeli, një pjesë e konsiderueshme e kapaciteteve ushtarake të Iranit mbetet ende funksionale. Vlerësimet e inteligjencës amerikane tregojnë se rreth gjysma e sistemeve të lëshimit të raketave nuk janë shkatërruar, ndërsa mijëra dronë sulmues vazhdojnë të jenë në dispozicion, duke ruajtur aftësinë e Teheranit për të goditur objektiva në rajon. Sipas burimeve nga intelegjenca amerikane, CNN shkruan se Irani mbetet i aftë të shkaktojë destabilizim të gjerë rajonal, edhe pse është goditur rëndë. Një pjesë e arsenalit është fshehur në rrjete tunelesh dhe strukturash nëntokësore, duke e bërë të vështirë neutralizimin e plotë nga sulmet ajrore. Gjithashtu, raketat bregdetare që mund të kërcënojnë trafikun në Ngushticën e Hormuzit konsiderohen kryesisht të paprekura. Po ashtu, ekspertët paralajmërojnë se objektivi për të përfunduar luftën brenda pak javësh mund të jetë i parealizueshëm, duke pasur parasysh kapacitetet që Irani ka ende në gjendje. Edhe pse SHBA-të pretendojnë goditje të suksesshme ndaj objektivave kyçe, konflikti mbetet kompleks dhe nëse palët s’gjejnë gjuhën e përbashkët mund të zgjasë shumë më shumë se 2 apo 3 javë, sidomos për shkak të aftësisë së Iranit për të fshehur armët e tij.