Një anije spiune ruse, e projektuar për të 'mbledhur informacione', është parë afër ujërave britanike dhe ka drejtuar lazerë ndaj pilotëve të Forcave ajrore mbretërore që fluturonin sipër saj për ta mbikëqyrur, tha Sekretari britanik i Mbrojtjes. Disa orë pasi një raport pretendonte se Mbretëria e Bashkuar nuk ka një plan për t'u mbrojtur nga sulmet ushtarake të huaja, John Healey tha se anija kërkimore Yantar ishte parë duke u endur në ujërat në veri të Skocisë. Anija, e operuar nga njësia e kërkimit në det të thellë, GUGI, ka qenë pranë ujërave të Mbretërisë së Bashkuar 'javët e fundit', tha Healey. Një fregatë e Marinës Mbretërore dhe avionë të RAF u angazhuan për të monitoruar dhe ndjekur lëvizjet e Yantar. Rusët u përgjigjën duke drejtuar lazerë ndaj pilotëve. "Ky veprim është thellësisht i rrezikshëm dhe kjo është hera e dytë këtë vit që kjo anije, Yantar, është vendosur në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar", tha Healey. "Mesazhi im për Rusinë dhe Putinin është ky: ne ju shohim, ne e dimë se çfarë po bëni dhe nëse Yantar guxon më shumë, ne jemi gati." Kjo është hera e dytë brenda një viti që Yantar është parë në ujërat afër Britanisë. Nëntorin e kaluar, anija u pa të "qëndrontembi infrastrukturën kritike nënujore të Mbretërisë së Bashkuar" pranë brigjeve të Kornuellit.