Deputetët e përjashtuar të Partisë Demokratike, tashmë pa asnjë rol apo tagër politik brenda grupit parlamentar, i drejtuan një kërkesë kreut të grupit, Enkelejd Alibeaj. Në kundërshtim me çfarë deklaruan vetëm pak ditë më parë, se nuk e njohin Enkelejd Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar të Partisë Demokratike; përkrahësit e ish kryeministrit Sali Berisha, i kërkuan Alibeajt t’i rikthejë në listën e deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Edhe pse rendi i ditës i mbledhjes së kësaj të enjteje, ishte presidenti i ri i republikës, deputetja Albana Vokshi i kërkoi Alibeajt të dërgonte një kërkesë në Kuvend për regjistrimin e 5 emrave të përjashtuar nga grupi parlamentar.