Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Koordinata”, si rezultat i të cilit janë sekuestruar 48 kg kanabis dhe është arrestuar një 52 vjeçar. Sipas policisë, në vijim të kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në territorin e fshatit Kuç, një person posedonte në banesë lëndë narkotike, si dhe kishte kultivuar bimë narkotike, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Koordinata”. Si rezultat i këtij operacioni, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 52 vjeçarit në fshatin Kuç, te bashkise Himarë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 48 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar përreth banesës së tij, shërbimet e Policisë evidentuan dhe asgjësuan disa bimë narkotike të cilat dyshohet se i ka kultivuar 52 vjeçari, I cili është vënë nën pranga.