Dy shqiptarë përfunduan në pranga dhe mbi 160 kilogramë kokainë u sekuestruan nga autoritetet italiane gjatë një operacioni antidrogë të ndërmarrë në zonën e Breshias. Operacioni është ndërmarrë nga Guardia di Finanza, që thotë se droga u sekuestrua në momentin që po transferohej nga një kamion në një makinë tjetër. Autoritetet italiane thonë se vlera e drogës së kapur arrinte rreth 20 milionë euro në treg. Dy shqiptarët e arrestuar, njëri prej të cilëve shoferi i kamionit u arrestuan dhe u transferuan në burgun e Bergamos, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar kush qëndron pas këtij rasti. Aksioni konsiderohet në vazhdën e një operacioni më të madh të autoriteteve italiane që kanë goditur javët e fundit grupet shqiptare të trafikut të kokainës në Itali, që siç zbulohet në disa dosje që aktualisht janë para drejtësisë italiane kanë forcuar pozitat e tyre në treg edhe përmes bashkëpunimit me grupet mafioze italiane.