Një situatë kritike është krijuar pasditen e sotme në zonën midis fshatrave Xhyrë dhe Vehçan, në Njësinë Administrative Hotolisht, Bashkia Librazhd, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një masiv pyjor me akacie dhe shkurre. Zjarri, i cili ka nisur që prej mesditës, është përhapur me shpejtësi në disa drejtime, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme. Terreni dhe bimësia e thatë kanë favorizuar përhapjen e flakëve, ndërsa situata është bërë veçanërisht shqetësuese pas orës 17:00, kur zjarri është afruar pranë banesave në zonën e ish-stacionit hekurudhor të Xhyrës dhe pranë rrugës kombëtare Librazhd-Përrenjas.