Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka zbuluar disa dokumente të cilët tregojnë se si Parashqevi Simaku në vitin ’89 po përballej me akuza. Aty tregohet se Parashqevia këndonte në Qytet Studenti, por më pas janë dëgjuar brohoritma kundër regjimit komunist. Kjo situatë ka sjellë më pas plotësimin e dosjes së këngëtaresh shqiptare. 𝐓𝐡𝐢𝐫𝐫𝐣𝐞𝐭 𝐯𝐢j𝐧ë 𝐧𝐠𝐚 𝐠𝐨𝐝𝐢𝐧𝐚 𝟕 𝐞 𝐐𝐲𝐭𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐒𝐭𝐮𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢: 𝐕𝐢𝐯𝐚 𝐏𝐚𝐫𝐚𝐬𝐡𝐪𝐞𝐯𝐢, 𝐕𝐢𝐯𝐚! Tiranë, ora 21:34, data 21.03.1989. Në Qytetin e Studentëve, pas mbarimit të emisionit televiziv “Muzikë për të gjithë”, në godinën nr. 7, tri studente të Institutit të Lartë të Arteve nisën të këndojnë me zë të ulët këngë dashurie. Atyre iu bashkuan djem dhe vajza të godinave të tjera, me britma dhe parrulla si “Rroftë Instituti” dhe “Artet janë bota”. Pas pak, nga godina 5 dëgjohen thirrje të tjera: “Viva Parashqevi, viva!”, “Poshtë fashizmit”, si dhe këngët “Eja, mblidhuni këtu, këtu, bashkë me ne” etj. Sipas Autoritetit të Dosjeve, ky episod në dukje naiv për ditët e sotme, në vitin 1989 cilësohej një akt i vërtetë “rrugaçërie” nga rinia, po t’i referohemi izolimit dhe kontrollit të çdo qelize arsimore dhe kulturore me dorë të hekurt nga strukturat e pushtetit. Dokumenti i krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, pjesë e fondit arkivor të AiDSSH-së, tregon një episod të veçantë nga vitet e fundit të regjimit komunist, kur zëri dhe shpirti rinor po tentonin të sfidonin izolimin dhe ndrydhjen, në raport edhe me ndryshimet politike në të gjithë Europën Lindore. Ngjarja e ndodhur në Qytetin e Studentëve në mars të vitit 1989 reflekton një moment spontan, kur arti dhe emocionet personale kapërcyen muret e frikës dhe censurës, sipas Autoritetit të Dosjeve, që përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetet sociale, thekson se deklarata si “Artet janë bota” dhe thirrje si “Viva Parashqevi, viva!”, edhe pse krejt simbolike, ato treguan se, në një kohë kur gjithçka dukej e zymtë, një zë dhe një fytyrë e bukur, e lirë si zog, e shpenguar dhe në qendër të vëmendjes, ishin një nevojë për shpëtim.