Tre javë pas vrasjes së biznesmenit Edmond Papa në Selitë të Tiranës policia ka identifikuar dhe ka vënë në pranga një prej personave që mori pjesë në ekzekutim në rolin e vëzhguesit. Sipas hetimeve të policisë, rezulton se grupi i vrasësve e kanë vëzhguar për disa ditë objektivin e tyre Edmond Papa në Sarandë dhe në Tiranë derisa gjetën momentin e përshtatshëm për ta ekzekutuar në një lokal pasditen e 16 dhjetorit në Tiranë. Seria e pamjeve të kamerave të sigurisë shërbeu për identifikimin e dy prej personave që morën pjesë në ekzekutim ndërkohë që në pranga ka rënë vetëm Albano Velo, i cili u arrestua më 1 janar sapo mbërriti në Rinas.