Shqetësim ka tek organet shëndetsore në Greqi për përhapjen e virusit të Nilit Perëndimor. Vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar 23 raste të reja, duke e çuar në 65 numrin e të infektuarve që nga fillimi i periudhës së monitorimit. Gjashtë pacientë kanë humbur jetën, të gjithë mbi 65 vjeç. Nga të infektuarit, 54 kanë shfaqur komplikacione në sistemin nervor qendror, si encefalit, meningjit apo paralizë akute. Njëzet pacientë vazhdojnë të trajtohen në spitale, tetë prej tyre në terapi intensive.