Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin, me të cilin diskutoi çështjet dhe shqetësimet e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës. Kryebashkiaku theksoi se Tirana do të jetë gjithmonë një derë e hapur për secilin prej tyre. “Kjo është shtëpia juaj, një derë dhe një zemër e hapur. Duam që zëri ynë të bashkohet me zërin tuaj për disa çështje shumë kritike dhe shqetësuese, siç është pasivizimi apo humbja e disa të drejtave prej marifetesh administrative, që përjashtojnë një qytetar nga marrja e shërbimit apo mundësia për të shfrytëzuar dhe investuar në pronën e tij, apo për të qenë sipërmarrës”, tha Veliaj.