Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu pasditen e të hënës pyllin me pisha në zonën e hidrovorit, pranë Lagunës së Nartës në Vlorë. Flakët dhe tymi i dendur mbuluan zonën, duke krijuar rrezik për mjedisin dhe banorët. Në terren për normalizimin e situatës u angazhuan forcat zjarrfikëse, si dhe 4 helikopterë, që ndihmuan nga ajri, për shkak të terrenit të vështirë. Zjarri u shtri në një gjatësi deri në 3 kilometra, ndërsa kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, pa nga afër situatën dhe caktoi detyrat në terren për natën. Sipas tij, në orët e para të mëngjesit do angazhohen edhe dhjetëra forca të armatosura për shuarjen e flakëve.