Numri i maturantëve që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2023 – 2024 ka pësuar rënie, ndërkohë që e kundërta do të ishte me interes për boshllëkun e krijuar në sistemin shëndetësor nga largimi i mjekëve drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera të BE-së. Një vit më parë, aplikuan afro 3 mijë maturantë për mjekësi, këtë vit janë regjistruar gati 40% më pak, vetëm 1800 maturantë. Zëvendës dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Dr Ilir Alimehmeti, thotë se ky reduktim i numrit të aplikantëve është pasojë e vendimit më të fundit për të mos i pajisur me diplomë studentët e mjekësisë deri kur të përmbushin detyrimin 5 vite shërbim në vendin e tyre.