Një gjykatë turke ka dënuar pronarin dhe arkitektin e një hoteli luksoz në Anadollin juglindor, i cili u shemb gjatë tërmetit të 6 shkurtit 2023, duke shkaktuar vdekjen e 72 personave. Pronari i hotelit, Ahmet Bozkurt, dhe arkitekti Erdem Yilmaz (Jilmaz) u dënuan të dy me 18 vjet e 5 muaj burg për "shkaktim të vdekjes dhe plagosjes së më shumë se një personi nga pakujdesia e vetëdijshme", raporton TV shtetëror Trt. Me 17 vjet burg u dënua edhe djali i pronarit, i 16 vjet burg inxhinieri, ndërsa dy inxhinierë të tjerë ndihmësa u dënuan mbi 8 vjet. Ndër 72 viktimat e hotelit, 35 ishin shtetas turq të Qipros, kryesisht adoleshentë që mbërritën në Turqi për të marrë pjesë në një turne volejbolli. Tërmeti i shkurtit 2023, me magnitudë 7.8 ballë, goditi një rajon të gjerë në Anadollin juglindor, ku vdiqën mbi 53 mijë njerëz, si dhe një pjesë të Sirisë veriperëndimore, ku viktimat e konfirmuara ishin më shumë se 6 mijë. Në javët pas tërmetit, mbi 260 persona të përfshirë në ndërtimin e ndërtesave të shembura u arrestuan në Turqi. Mes tyre, disa u kapën në përpjekje për të ikur jashtë vendit, si sipërmarrësi përgjegjës për ndërtimin e një pallati në Adana, shembja e të cilit shkaktoi vdekjen e 96 personave, i cili në shtator të këtij viti u dënua me 865 vjet burg.