Në tunelin e Llogarsë janë duke u kryer punimet e fundit. Paraditen e së premtes edhe kjo vepër e rëndësishme infrastrukturore do të hapet për qarkullimin e automjeteve. Me një gjatësi prej 5.9 kilometrash tuneli i Llogarasë shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut, duke rritur njëkohësisht edhe parametrat e sigurisë rrugore. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndoqi nga afër përgatitjet e fundit që po bëhen para hapjes për qarkullimin e automjeteve të tunelit, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.