Sulmet nuk kursyen as Dubain. Një raketë iraniane goditi hotelin me pesë yje “Fairmont The Palm” në zonën ekskluzive Palm Jumeirah, duke shkaktuar zjarr pranë hyrjes së godinës. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan flakë dhe tym të dendur, ndërsa katër persona mbetën të plagosur. Banorët e zonës thanë se shpërthimi u ndje në disa pjesë të qytetit. Më vonë, autoritetet e Dubait deklaruan se zjarri ishte shkaktuar nga mbetje të një droni të kapur nga sistemet mbrojtëse ajrore. Sipas tyre, dëme të vogla u raportuan edhe në “Burj Al Arab”, si dhe në një pjesë të “Dubai International Airport”, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ndërkohë, tensionet u shtrinë edhe në Abu Dhabi. Autoritetet e aeroporteve raportuan se një incident në “Zayed International Airport” shkaktoi një viktimë dhe shtatë të plagosur.