Një stuhi e fuqishme goditi mbrëmjen e së mërkurës Selanikun, duke përmbytur rrugë dhe duke shkaktuar probleme serioze në qarkullimin e automjeteve. Reshjet e dendura nisën rreth orës 21:30 dhe brenda pak minutash u përhapën në një pjesë të madhe të qytetit, nga zonat perëndimore deri tek ato pranë aeroportit. Shiu i rrëmbyeshëm u shoqërua me erëra të forta dhe vetëtima të shumta. Në disa zona sasia e madhe e ujit i shndërroi rrugët në lumenj, ndërsa drejtuesit e automjeteve patën vështirësi të mëdha në lëvizje.