Kristi Noem do të jetë Sekretarja për Sigurinë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kandidaturën e saj e miratoi senati amerikan këtë të shtunë, duke i dhënë ish-guvernatores së Dakotës së Jugut, drejtimin e një agjencie që është thelbësore për sigurinë kombëtare dhe planet e Presidentit Donald Trump për të ndalur emigracionin e paligjshëm."Do të punoj për ta bërë Amerikën sërish të sigurt!", shkroi ajo në një postim ku ndër të tjera falënderoi presidentin Trump për besimin. Sekretari i Sigurisë Kombëtare mbikëqyr Doganat, Mbrojtjen e Kufijve dhe Emigracionin. Departamenti është gjithashtu përgjegjës për sigurinë në transportin ajror, mbrojtjen e personaliteteve, reagimin ndaj fatkeqësive natyrore e çështje të tjera. Presidenti Trump ka në plan të bëjë ndryshime të mëdha në mënyrën se si funksionon departamenti, duke përfshirë edhe ushtrinë në zbatimin e ligjeve mbi emigracionin si dhe riformësimin e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave.