Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtuan trupat ushtarake në Lindjen e Mesme, teksa lufta hyri në muajin e dytë, duke zgjeruar hartën me përfshirjen edhe të grupit rebel Huthi, i shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni. Një anije e marinës amerikane, që mbante rreth 2500 marinsa, ka mbërritur në Lindjen e Mesme, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së. Përveç marinsave, Komanda Qendrore amerikane njoftoi gjithashtu se anija do të dërgojë në frontin e luftës edhe avionë transporti dhe sulmi, si dhe automjete sulmi amfibe. Po ashtu, edhe dy anije të tjera, së bashku me një Njësi tjetër Ekspedicionare Detare, janë urdhëruar të shkojnë në rajon nga San Diego.