Pas disa ditësh qetësie, rikthehen përplasjet në protestën e kryeqytetit. Një grup protestuesish u përplasën fizikisht me policinë në bulevardin kryesor. Situata në bulevard u përshkallëzua edhe më shumë, pasi policia shoqëroi dy prej protestuesve. Të rinjtë rrethuan furgonin e forcave të rendit, duke mos lejuar lëvizjen e tij. Pas tensioneve të forta mes palëve, policia zmbrapsi protestuesit, të cilët më pas marshuan drejt Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku u dërguan dy të shoqëruarit. Përveç thirrjeve kundër policisë, nuk pati më tensione, ndërsa pas rreth dy orësh u liruan edhe dy protestuesit e shoqëruar në komisariat. Të bashkuar, ata bënë thirrje që të mblidhen të enjten në orën 10:00, para Parlamentit, kur nis seanca plenare.