Kryeministri Rama, merr pjesë sot në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, që zhvillohet në Bruksel, nën drejtimin e Presidentit të Këshillit Europian, António Costa. Samiti bën bashkë liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim forcimin e partneritetit strategjik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të rajonit. Ky takim i nivelit të lartë shërben si një mundësi për të riafirmuar angazhimin e Bashkimit Europian ndaj perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, progresit të reformave kyçe dhe përmbushjes së angazhimeve në kuadër të procesit të integrimit.