Matt Hancock dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit britanik të shëndetësisë, por arsyeja nuk ishte thjesht skandali në të cilin zyrtari i martuar prej 15 vjetësh u përfshi pasi u fotografua duke puthur një kolege. Shkak për largimin u bë shkelja e rregullave të distancimit fizik. Në letrën e dërguar kryeministrit Boris Johnson, Hancock shkruante se qeveria “ua ka borxh njerëzve, që kanë sakrifikuar kaq shumë në këtë pandemi, që të jetë e sinqertë kur nuk kemi qenë me ta”. Johnson shprehu keqardhjen që iu desh të pranonte dorëheqjen e tij. Vendin e Hancock e zuri ish ministri i financave Sajid Javid, i cili tha se ndihej i nderuar që u përzgjodh emri i tij.