Uashingtoni dhe Teherani po përpiqen të respektojnë armëpushimin dyjavor që konsiderohet si hapi i parë drejt një marrëveshjeje më të gjerë politike. Në qendër të negociatave janë tri çështje vendimtare: Ngushtica e Hormuzit, programi bërthamor dhe lehtësimi i sanksioneve. Siç shkruan Corriere, pika më e fortë për Iranin mbetet Hormuzi. Ideja e vendosjes së një tarife për anijet që kalojnë në këtë korridor jetik të naftës do t’i sillte regjimit në Teheran të ardhura të mëdha dhe një instrument të ri presioni ndaj tregjeve globale. Nëse kjo realizohet, do të ishte një fitore strategjike, sepse nga kërcënimi për bllokim kalon te kontrolli financiar i rrugës detare më të rëndësishme të rajonit. Në dosjen bërthamore, avantazhi politik duket të jetë në anën e Donald Trump dhe Izraelit. Irani kërkon të mbrojë të drejtën për pasurim uraniumi për përdorim civil, por në tryezë po diskutohet një formulë monitorimi shumë më e rreptë ndërkombëtar. Kjo do t’i jepte Uashingtonit mundësinë ta paraqesë marrëveshjen si sukses diplomatik: frenim të ambicieve ushtarake të Iranit. Në këtë skenë, Kina po del si një fituese e heshtur. Pekini ka shtuar ndikimin duke mbështetur rihapjen e Hormuzit dhe stabilizimin e flukseve energjetike. Kjo është një mundësi për të forcuar rolin si garantuese ekonomike e Iranit dhe si aktore diplomatike që fiton terren përballë Perëndimit. Por përtej fituesve politikë, humbësi më i madh mbetet rendi ndërkombëtar. Kërcënimet për goditje ndaj infrastrukturës civile, presioni mbi korridoret detare dhe përdorimi i tarifave si armë gjeopolitike po normalizohen. Kjo tregon se po fiton gjithnjë e më shumë logjika e forcës, ndërsa ligji ndërkombëtar po mbetet në plan të dytë. Në fund, armëpushimi nuk është fundi i krizës, por fillimi i një pazari të madh rajonal: Irani kërkon fitore ekonomike, Trump një sukses politik, ndërsa Kina po forcon rolin e saj si fuqi negociuese.