Në Konispol situata është bërë shqetësuese për prodhuesit e mandarinave. Ndërsa plantacionet janë plot dhe sezoni ka hyrë në pikun e tij, fermerët thonë se prodhimi po u mbetet stok për shkak të mungesës së tregut. Goditja më e fundit ka ardhur edhe nga përmbytjet e mëdha që prekën fushën e Konispolit, duke dëmtuar një pjesë të konsiderueshme të kulturave. Fermerët shprehen se mandarinat tashmë nuk mund të rrinë më gjatë në pemë, pasi koha optimale e vjeljes ka ardhur dhe çdo ditë që kalon rrezikon humbje të mëdha ekonomike. Sipas tyre, mandarinat kanë të gjitha analizat e nevojshme, të kryera brenda dhe jashtë vendit, ndërsa cilësia është e garantuar. Megjithatë, mungesa e tregut dhe kostot e larta po e bëjnë të pamundur shitjen e prodhimit, duke vënë në rrezik mundin e një viti të tërë.