Paketa fiskale 2027 po përballet me kundërshtimet e bizneseve por edhe me debat në Kuvend për mënyrën se si janë zhvilluar konsultimet para miratimit të ndryshimeve në taksa. Në komisionin e Ekonomisë në të cilën relatorët prezantuan projektligjet, opozita kërkoi që përfaqësuesit e sipërmarrjes të dëgjohen përpara se projektligjet të marrin miratimin. Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, e cilësoi projektbuxhetin si një nga më të kontestuarit, duke sjellë në vëmendje kundërshtitë e Dhomës Amerikane dhe asaj Britanike të Tregtisë. Sipas tij, Kuvendi duhet të dëgjojë drejtpërdrejt shqetësimet e bizneseve, veçanërisht për ndryshimet që do të rëndojnë kostot e tyre.