Një vrasje e trefishtë tronditi këtë të shtunë një ndër destinacionet kryesore turistike në Itali, Forio d’Ischia, pranë Napolit. Një breshëri të shtënash ndërpreu festën e gushtit në ishullin e mbushur me turistë. Një 69-vjeçar qëlloi për vdekje partneren e tij dhe nënën e ish-gruas së tij, kjo e fundit me origjinë nga Ukraina. Pas vrasjes së dyfishtë, i moshuar ndoqi dhe qëlloi me armë edhe ish-bashkëshorten ukrainase, e cila ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Më pas, 69-vjeçari qëlloi me armë edhe veten e tij. Ai u dërgua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, ku ndërroi jetë pak orë më vonë. Dëshmitarët nga vendngjarja rrëfyen të tmerruar ngjarjen kriminale, që tronditi zonën. “Dëgjuam shumë të shtëna. E pamë me armë në dorë, dukej se nuk donte të ndalej. Pasi vrau dy personat e parë, ai ndoqi ish-gruan deri në derën e shtëpisë dhe e qëlliu. Pastaj ai ktheu armën nga vetja”, shprehen dëshmitarët, sipas të cilëve “ishte një skenë tmerri që zgjati vetëm pak minuta dhe u shtri në njëzetë metra, ishin momente tmerri”. Shkaqet dhe dinamika e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet. Sipas raportimeve të para, personat e vrarë janë qëlluar me plumb në kokë, pothuajse si një ekzekutim. Incidenti ndodhi në zonën Cuotto në hyrje të një parku hotelesh të njohur në zonë.