Shumë shpejt pasi bombat e para ranë mbi Iran - duke ndezur një konflikt që brenda orësh mori përmasa rajonale - autoritetet e Kosovës nxituan të dilnin në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dënuan regjimin iranian dhe riafirmuan mbështetjen e tyre për aleancën perëndimore.Presidentja Vjosa Osmani tha se, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit Donald Trump, koha e lirisë për popullin e Iranit po vjen. Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë veprimet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian, tha Osmani ndërsa dënoi fuqishëm sulmet e këtij të fundit kundër aleatëve në Lindjen e Mesme. Disa orë pas nisjes së sulmeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mblodhi Këshillin e Sigurisë për të diskutuar situatën, dhe tha se Kosova po monitoron nga afër implikimet e mundshme për vendin dhe rajonin. Por sa e sigurit është Kosova në një kohë që strehon kampin Bondsteel - bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan dhe që po ashtu ka rreth 600 ushtarë amerikanë, që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR. Qeveria e Kosovës nuk iu është përgjigjur interesimit të mediave vendase mbi implikimet e mundshme apo masat konkrete që mund të merren. Vetëm një një zyrtar i NATO-s në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, ka thënë se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.