Hyrja në tregjet e kryeqytetit sot shoqërohet akoma më shumë me ankesa për çmimet. Qytetarët shprehen se çdo javë produktet po bëhen më të shtrenjta duke ndikuar drejtpërdrejt tek tryeza e familjeve. Mes tyre është edhe Luljeta, banore në zonën e Selitës. Teksa blen perime për drekën, ajo tregon se rritja e çmimeve e ka detyruar të ndryshojë edhe ushqimet që konsumon familja. “Çmimet janë gjithnjë e në rritje. Dje ishte qepa 160 lekë, sot 250 lekë. Shkojmë ku është më lirë, bëjmë kursim gjëra të tjera, vijmë në treg jo në lagje se janë më shtrenjtë”, u shpreh Luljeta.