Rebelët Huthi të Jemenit thonë se kanë kryer një sulm tjetër në disa pjesë të Izraelit jugor. Yahya Saree, zëdhënës i Forcave të Armatosura të Jemenit - fraksioni Huthi i ushtrisë së Jemenit - thotë se grupi kreu "një sulm me raketa dhe dronë" me objektiv "disa zona të rëndësishme ushtarake" që i përkisnin Izraelit. Ai shtoi se sulmet jane pjese e planit të operacioneve ushtarake përkatëse të Iranit dhe Hezbollahut, dhe se "i arritën me sukses objektivat e tyre". Deklarata në llogarinë e tij në Telegram vjen pas raportimeve në mediat izraelite dhe amerikane rreth një vale të dytë sulmesh të rebelëve Huthi - disa orë pasi konfirmuan se kishin lëshuar raketën e tyre të parë drejt Izraelit që nga shpërthimi i konfliktit me Iranin. Më herët Izraeli tha se kishte interceptuar një raketë që vinte nga Jemeni. Rebelët Huthi u përmbajtën në katër javët e para të luftës, pavarësisht lidhjes dhe mbështetjes së tyre nga Irani. Tani, lëvizja që ka nën kontroll kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, veriun dhe zona të tjera të vendit, ka qëlluar raketa drejt Izraelit. BBC thotë se është e vërtetë se kërcënimi me raketa që rebelët paraqesin për Izraelin është shumë më i vogël se ai i Iranit, por grupi përbën një kërcënim në brigjet e Jemenit. Si pjesë e mbështetjes së tyre për Hamasin në Gaza, grupi shënjestroi anijet që vinin përmes ngushticës Bab al-Mandab në skajin jugor të Detit të Kuq, midis Jemenit dhe Bririt të Afrikës. Veprimi i tyre më pas rrezikoi atë rrugë kyçe detare tregtare. Nëse do ta bënin këtë përsëri, do të ishte një tjetër goditje e madhe për ekonominë globale. Së bashku me mbylljen pothuajse të plotë të Ngushticës së Hormuzit nga Irani, dy nga rrugët kryesore ujore strategjike në botë për tregti dhe furnizime me energji mund të ndërpriten potencialisht.