Anëtarët socialistë të komisionit parlamentar hetimor për inceneratorët do të kallëzojnë penalisht Jorida Tabakun pasi sipas tyre ka kryer dy vepra penale, duke ushtruar presion tek sistemi i drejtësisë. Ndërkohë, në komision ka raportuar edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirana Sako. Pasi sqaroi pozicionin e saj, ku tha se ka zbatuar vetëm ligjin, u largua nga komisioni para kohe, pasi pretendoi se anëtarët e Partisë Demokratike të këtij komisioni e ofenduan. Gjatë orëve të pasdites raportoi në komisionin e inceneratorëve edhe ministrja e Infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku e cila sqaroi pozicionin e saj në këtë çështje.