Ligjvënësit në Bundestagun gjerman miratuan këtë të premte pezullimin e së drejtën së refugjatëve pa statusin e azilantit, që të ribashkohen me familjet e tyre. Kjo ishte lëvizja e parë e fortë e qeverisë së kancelarit konservator, Friedrich Merz, që po synon të frenojë emigracionin e jashtëligjshëm Sipas ligjit të miratuar nga Bundestagu, procesi me të cilin familjarët e refugjatëve me mbrojtje plotësuese mund të aplikojnë për të ardhur në Gjermani, do të pezullohet për dy vjet. Agjencia franceze e lajmeve (AFP) ka shpjeguar se refugjatët me mbrojtje plotësuese nuk kanë statusin e azilantit, por atyre u mundësohet një e drejtë fillestare për të qëndruar në Gjermani për arsye të tjera, të tilla si kërcënimi me torturë ose dënimi me vdekje në vendin e tyre të origjinës. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, ka thënë para ligjvënësve se ndryshimi pasqyron prioritetin e qeverisë për politikën e imigracionit. “Edhe pse Gjermania mbeti e hapur ndaj botës, qëndrueshmëria e sistemeve tona shoqërore ka kufijtë e saj”, ka thënë Dobrindt.