Tashmë është bërë traditë ndezja e dritave të festave të fundvitit në qytetin e Fierit. Qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin kryesor për të ndjekur një koncert të përgatitur nga fëmijët e Qendrës Kulturore, ndërsa kryetari i Bashkisë, Armando Subashi, ka ndezur dritat e pemës së Krishtlindjeve, duke dhuruar atmosferën e parapëlqyer festive për të gjithë qytetin. Data 6 dhjetor simbolizon nisjen zyrtare të festimeve të fundvitit, një moment që sjell gëzim, bashkim dhe shpresë për ditët që vijnë. Në shumë vende ajo lidhet edhe me figurën e Shën Nikollës, simbol i bujarisë dhe dhurimit, duke e bërë këtë ditë edhe më domethënëse për komunitetin.