Fermerët e zonës së Semanit në Fier kanë braktisur skemën e qeverisë për subvencionimin e mbjelljes së grurit. Shkaku është kushti që ata duhet ta blejnë farën e grurit dhe plehrat me kupon tatimor, ndërkohë që çmimi në treg nuk ju leverdis. Ata thonë që ende nuk kanë shitur prodhimin e mbjelljeve të kaluara. Problemi është mossigurimi se mund të fitojnë subvencionin pasi bëjnë shpenzimet për t’i blerë me detyrim lëndët e para te disa tregtarë, por edhe toka që jo gjithmonë është me dokumentacion të rregullt.