Drejtuesit e aplikacionit të njohur të mesazheve, Telegram thonë se pronari i tij, Pavel Durov, i arrestuar në Francë, “nuk ka asgjë për të fshehur”. Durov u ndalua në një aeroport në veri të Parisit me një mandat arresti për shkelje në lidhje me aplikacionin e krijuar vite më parë. Akuzat janë se Durov nuk ka marrë hapa të mjaftueshëm për ndalimin e përdorimit të Telegramit për qëllime kriminale dhe se ka dështuar të bashkëpunojë me agjencitë e zbatimit të ligjit lidhur me trafikun e drogës, përmbajtjet e dënueshme me sfond seksual për të miturit dhe mashtrimet.