Prokuroria e Durrësit ka nisur zyrtarisht hetimet për rastin e çokollatave të dyshuara si të kontaminuara me krimba dhe të tregtuara në rrjetin e marketeve “Diambe”. Burime zyrtare nga prokuroria konfirmuan për Top Channel se çështja u regjistrua si procedim penal kryesisht më 11 nëntor, pas publikimeve në media dhe njoftimeve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Gjatë një inspektimi në magazinën e rrjetit në Katund të Ri të Durrësit, AKU gjeti çokollata të markës Talarki Money Euro, që dyshohet të jenë të ndotura me insekte. Hetimet po kryhen për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, parashikuar nga neni 288 i Kodit Penal. Aktualisht, prokuroria po mbledh provat e para dhe pritet të marrë në pyetje administratorët e kompanisë “Diambe” dhe përgjegjësit e furnizimit. Sipas AKU-së, çokollatat janë importuar nga Polonia, ndërsa kushtet e papërshtatshme të ruajtjes dyshohet të kenë favorizuar zhvillimin e insekteve.