Leja për funksionimin e trenit që transportonte vizitorët në një itinerar prej 2.5 kilometrash, në zonën e Syrit të Kaltër, është në fokus të verifikimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kontrollet janë kryer të mërkurën në Sarandë, ku mes ambienteve të kontrolluara është edhe banesa e nënkryetarit të Bashkisë, Elton Dauti. Sipas informacioneve të raportuara, agjentët e BKH-së janë paraqitur në banesën e Dautit rreth orës 07:30. Në fokus të verifikimeve raportohet se është leja e miratuar nga Mirela Kumbaro, gjatë kohës kur mbante detyrën e ministres së Turizmit dhe Mjedisit, për ushtrimin e këtij aktiviteti turistik.